Çfarë kuptojmë me kontratë pune?
Çdo individ i punësuar (të cilin ligji e quan punëmarrës) duhet të lidhë një kontratë pune me punëdhënësin. Kontrata e punës është një marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit që përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve. Si rregull, kontrata e punës lidhet me punëmarrës të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç. Si rregull, ndalohet marrja në punë e fëmijëve nën 16 vjeç.
Me anë të kontratës së punës, punëmarrësi merr përsipër të ofrojë punën ose shërbimin e vet, sipas detyrave dhe rregullave që i caktohen nga punëdhënësi, kundrejt shpërblimit. Punëmarrësi duhet ta kryejë personalisht punën që i është ngarkuar, me përjashtim të rastit kur me marrëveshje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit është përcaktuar ndryshe.
Punëmarrësi nuk është i detyruar të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e punëdhënësit që ndryshojnë kushtet e kontratës së punës pa miratimin e tij, apo që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tij.
Kontrata e punës mund të jetë me afat të caktuar ose me afat të pacaktuar. Kontrata me afat të caktuar nënkupton lidhjen e kontratës për një periudhë fikse të parashikuar shprehimisht në këtë kontratë. Ndërsa kontrata me afat të pacaktuar supozon vazhdimësinë e përhershme të marrëdhënies së punës pa përmendur ndonjë afat për përfundimin e saj. Si rregull, kontratat e punës duhet të lidhen me afat të pacaktuar. Kontratat e punës me afat të caktuar mund të lidhet vetëm kur mund të justifikohet me natyrën e përkohshme të punës që do të kryejë punëmarrësi.
Çfarë kuptojmë me kontratë kolektive pune?
Kontrata kolektive e punës lidhet mes një ose disa punëdhënësish ose organizata punëdhënësish dhe një ose disa sindikatave të punëmarrësve për të përcaktuar kushtet, që duhet të kenë kontratat e punës që lidh një punëdhënës. Në rastin kur ekziston një kontratë kolektive, punëdhënësi që është pjesë e kontratës, duhet të lidhë kontratat individuale të punës me punëmarrësit e tij, sipas kushteve të vendosura në kontratën kolektive.
Kontrata kolektive është e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo punëdhënës ose çdo anëtar në organizatën që e ka nënshkruar atë.
Sa i takon punëmarrësve të këtij punëdhënësi, kushtet e kontratës kolektive do të zbatohen edhe ndaj tyre pavarësisht nëse ata janë ose jo pjesë e sindikatës me të cilën punëdhënësi ose organizata ka lidhur këtë kontratë kolektive.
Si mund të lidhet një kontratë pune?
Kontrata e punës lidhet me shkrim. Kur ajo nuk është lidhur me shkrim (në raste të veçanta dhe të justifikueshme), punëdhënësi është i detyruar që brenda 7 ditëve nga data e lidhjes së kontratës, ta hartojë atë me shkrim dhe të nënshkruhet prej tij dhe punëmarrësit. Mos hartimi i këtij dokumenti me shkrim nuk cenon vlefshmërinë e kontratës, por sjell gjobitjen e punëdhënësit deri në tridhjetë-fishin e pagës minimale mujore.
Çfarë duhet të përmbajë një kontratë pune?
Kontrata e punës duhet të përmbajë sidomos:
- Identitetin e palëve;
- Vendin e punës;
- Përshkrimin e punës;
- Datën e fillimit të punës;
- Kohëzgjatjen kur palët lidhin kontratë me afat të caktuar;
- Kohëzgjatjen e pushimeve të paguara;
- Afatin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës;
- Elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj;
- Kohën normale javore të punës;
- Kontratën kolektive në fuqi;
- Periudhën e provës;
- Llojet dhe procedurat e masave disiplinore (nëse nuk ka kontratë kolektive).
Si mund të ndryshohet një kontratë pune?
Kontrata e punës ndryshohet vetëm me shkrim dhe me marrëveshje midis dy palëve, punëmarrësit dhe punëdhënësit.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.