Çfarë përfshin paga e punëmarrësit?
Paga e punëmarrësit përfshin pagën bazë të përcaktuar në kontratën e punës, si dhe çdo shtesë mbi pagën që është me karakter të përhershëm, si për shembull vjetërsia në punë.
Megjithëse paga është një nga elementët që duhet të përcaktohet në kontratë, në rast se nuk është caktuar, punëdhënësi detyrohet të paguajë punëmarrësin me pagën e zakonshme për atë lloj pune.
Paga nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në mars 2016, paga bazë minimale mujore e caktuar nga Këshilli i Ministrave është 22.000 (njëzet e dy mijë) lekë. Pra, asnjë punëdhënës nuk mund t’i paguajë punëmarrësit më pak se 22.000 lekë (mbi këtë pagë zbriten edhe tatimet mbi të ardhurat dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore). Sidoqoftë, në varësi të kushteve ekonomike të vendit, Këshilli i Ministrave mund të vendosë të ndryshojë pagën bazë minimale mujore.
Nëse palët bien dakord, punëdhënësi i jep punëmarrësit një shpërblim të veçantë mbi pagë, në fund të vitit, duke marrë parasysh cilësinë e punës së tij ose mbarëvajtjen e ndërmarrjes. Kur punëdhënësi paguan një shpërblim vjetor tre vjet rresht pa rezerva të shprehura, punëdhënësi është i detyruar të vazhdojë pagimin edhe në të ardhmen. Punëdhënësi i paguan në mënyrë të barabartë punëmarrësit që kryejnë të njëjtën punë ose punë me vlerë të barabartë, pa diskriminuar asnjë prej tyre.
Kur i bëhet pagesa për punën e kryer punëmarrësit?
Data e dhënies së pagës caktohet nga palët në kontratën e punës. Sidoqoftë, si rregull, punëdhënësi i paguan pagën punëmarrësit çdo dy javë, kur paga llogaritet me orë, ditë ose javë dhe në fund të çdo muaji kur llogaritet me muaj.
Në rast të pagesës së pagës me vonesë, përqindja vjetore e interesit për vonesën është jo më pak se 10% e shumës së papaguar.
Paga duhet të paguhet vetëm nëpërmjet sistemit bankar. Mund të paguhet në lek ose kur palët bien dakord ndryshe, mund të paguhet edhe në monedha të huaja.
Punëdhënësi ka detyrimin për t’i treguar periodikisht punëmarrësit, me mënyra dhe mjete të vërtetueshme, çdo evidencë për të gjitha elementet e pagës, shtesat e përfituara dhe ndalimet e mbajtura, sipas legjislacionit në fuqi.
Çfarë zbritet nga paga e punëmarrësit?
Punëdhënësi zbret nga paga e punëmarrësit tatimin mbi të ardhurat dhe kontributin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të parashikuara me ligj, me akte nënligjore, me kontrata kolektive ose me kontrata individuale.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.