Puna / Përfundimi i marrëdhënies së punës
Përfundimi i marrëdhënies së punës

Kontrata e punës me afat të pacaktuar

Kontrata e punës me kohëzgjatje të pacaktuar mund të zgjidhet nga secila prej palëve (punëdhënësi dhe punëmarrësi) duke respektuar procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës dhe afatin e njoftimit. Në përfundim të afatit të njoftimit përfundon kontrata e punës.

Procedura e zgjidhjes së kontratës së punës

Në rast se punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës, ai duhet të kryejë një takim me punëmarrësin me qëllim që t’i shpjegojë arsyet e vendimit që ka parashikuar për t’u marrë. Ora dhe vendi i takimit, duhet t’i njoftohen me shkrim punëmarrësit të paktën 72 orë para takimit. Gjatë takimit, punëmarrësi ka të drejtë të shprehet mbi shkaqet që parashtron punëdhënësi për të zgjidhur marrëdhënien e punës.

Pas takimit, në rast se punëdhënësi është i bindur për të zgjidhur marrëdhënien e punës, ai duhet të njoftojë punëmarrësin me shkrim, brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit. Në njoftimin me shkrim, punëdhënësi përcakton arsyet e zgjidhjes së kontratës, të cilat lidhen me aftësinë, sjelljen e punëmarrësit ose kërkesat e ndërmarrjes.

Punëdhënësi që nuk respekton procedurën e përshkruar më sipër, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim prej dy muajsh pagë, që i shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme. Është punëdhënësi ai që duhet të provojë respektimin e kësaj procedure.

Afatet e njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës

Pas kohës së marrjes në provë, në ndjekjen e procedurave për të zgjidhur kontratën e punës me kohëzgjatje të pacaktuar, palët duhet të respektojnë një afat njoftimi prej:

  • dy javë, kur marrëdhënia e punësimit ka zgjatur deri në gjashtë muaj;
  • një muaj, kur marrëdhënia e punës ka zgjatur nga gjashtë muaj deri në dy vjet;
  • dy muaj, kur marrëdhënia e punës ka zgjatur nga dy deri në pesë vjet;
  • tre muaj, kur marrëdhënia e punës ka zgjatur më shumë se pesë vjet.

Kur njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm.

Gjatë kohës së marrjes në provë, secila nga palët mund të zgjidhë kontratën duke i njoftuar vendimin e saj palës tjetër të paktën 5 ditë përpara.

Gjatë periudhës së njoftimit, kur kontrata e punës zgjidhet nga ana e punëdhënësit, punëmarrësi përfiton, së paku, 20 orë leje të pagueshme në javë për të kërkuar punë të re.

Kohëzgjatja e lejes dhe procedurat për marrjen dhe përdorimin e saj duhet të përcaktohen në kontratën kolektive ose individuale të punës.

Zgjidhja e justifikuar apo e pajustifikuar e kontratës së punës

Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara. Që do të thotë se marrëdhënia e punës ndërpritet menjëherë, pa u respektuar afatet e njoftimit të përmendura më lart.

Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.

Punëmarrësi i pushuar nga puna në mënyrë të menjëhershme e të justifikuar humbet të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, por ruan të drejtën e shpërblimit për pushimet e pamarra.

Në rastin e zgjidhjes së pajustifikuar të kontratës së punës, punëmarrësi ka të drejtën e pagës që do të kish fituar, nëse marrëdhëniet e punës do të kishin përfunduar në fund të afatit të njoftimit të parashikuar në ligj ose me kontratë.

Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos detyrimin e punëdhënësit që të dëmshpërblejë punëmarrësin me maksimumin e pagës që do t’i takonte për një vit punë, e cila i shtohet edhe pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim.

Punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim nga punëdhënësi, në rast të shkeljes së të drejtave të tij, deri brenda një periudhe prej 3 vjetësh. Sidoqoftë, për zgjidhjen e kontratës pa shkaqe të justifikuara, punëmarrësi duhet ta ngrejë padi kundër punëdhënësit, në gjykatën kompetente, brenda 180 ditëve nga dita e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës. Në rastin kur motivi i pajustifikuar është zbuluar pas kalimit të këtij afati, punëmarrësi duhet të ngrejë padinë brenda 30 ditëve nga dita e zbulimit të këtij motivi.

Punëdhënësi heq dorë nga e drejta për të kërkuar shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga punëmarrësi, në qoftë se nuk e kërkon këtë të drejtë me shkrim brenda gjashtë muajve nga dita e marrjes dijeni.

Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të justifikuara.

Shpërblimi për vjetërsi është të paktën sa paga e një 15 ditëshi, për çdo vit pune, e llogaritur duke marrë si bazë pagën që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës.

Zgjidhja e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme

Zgjidhja e kontratës nga punëdhënësi, konsiderohet pa shkaqe të arsyeshme, kur:

  • Punëmarrësi ka pretendime që rrjedhin nga kontrata e punës;
  • Punëmarrësi ka përmbushur një detyrim ligjor;
  • Shkelet e drejta e mosdiskriminimit;
  • Bëhet për motive që lidhen me ushtrimin e të drejtave kushtetuese;
  • Bëhet për motive të anëtarësimit ose jo të punëmarrësit në një sindikatë të krijuar sipas ligjit;
  • Bëhet pa përcaktuar arsyet e zgjidhjes së kontratës.

Nëse kontrata zgjidhet pa shkaqe të arsyeshme, punëmarrësi ka të drejtë të ngrejë padi kundër punëdhënësit në gjykatë brenda 180 ditëve nga dita e përfundimit të afatit të njoftimit.

Punëdhënësi që ka zgjidhur kontratën pa shkaqe të arsyeshme, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim gjykate të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim.

Punëdhënësi nuk mund të zgjidhë kontratën në kohën kur, sipas legjislacionit në fuqi, punëmarrësi përfiton pagesë paaftësie të përkohshme në punë nga punëdhënësi ose sigurimet shoqërore, për një periudhë deri në një vit, si edhe kur punëmarrësi është me pushime të dhëna nga punëdhënësi.

Zgjidhja e kontratës së punës me afat të caktuar

Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.

Kur kontrata lidhet për më shumë se 3 deri në 5 vjet, ajo mund të zgjidhet nga punëmarrësi pas 3 vjetësh, në fund të një njoftimi prej 2 muajsh. Kur kontrata lidhet për më shumë se 5 vjet, ajo mund të zgjidhet nga punëmarrësi pas 5 vjetësh, në fund të një njoftimi prej 3 muajsh.

Në rastin kur punëdhënësi ka si qëllim të zgjidhë kontratën e punës me afat të caktuar, përpara përfundimit të afatit, është i detyruar të zbatojë procedurën e shpjeguar më sipër sikurse për zgjidhjen e kontratës së punës me afat të pacaktuar.

Çfarë konsiderohet pushim kolektiv nga puna dhe cila është procedura me anë të së cilës mund të kryhet?

Pushimi kolektiv është kur punëdhënësi, brenda një periudhe prej 90 ditësh, përfundon marrëdhëniet e punës, për arsye që nuk kanë të bëjnë me to:

  • të paktën 10 punëmarrës, për ndërmarrjet me deri në 100 punonjës;
  • 15 punëmarrës, për ndërmarrjet me mbi 100 deri në 200 punonjës; dhe
  • 20 punëmarrës për ndërmarrjet me mbi 200 punonjës.

Kur punëdhënësi parashikon të bëjë pushime kolektive nga puna, ai duhet të njoftojë me shkrim organizatën e punëmarrësve, e njohur si përfaqësuese e punëmarrësve.

Punëdhënësi njofton me shkrim ministrinë përgjegjëse për punën për përfundimin e këshillimeve. Ai i dërgon një kopje të këtij njoftimi palës së interesuar. Nëse palët nuk kanë rënë dakord, ministria përgjegjëse për punën i ndihmon ato të arrijnë një marrëveshje, brenda 30 ditëve, duke filluar nga data e njoftimit të përmendur më sipër. Pas përfundimit të afatit 30 ditor, punëdhënësi njofton punëmarrësit që do të pushohen, duke respektuar afatet e njoftimit.

Ministria përgjegjëse për punën nuk mund t’i ndalojë pushimet kolektive. Punëdhënësi që nuk respekton procedurën e pushimit të përshkruar më sipër, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim deri në gjashtë muaj pagë, i cili i shtohet pagës gjatë afatit të njoftimit ose dëmshpërblimit që merret në rast mos respektimi të këtij afati.

Punëdhënësi duhet t’u japë përparësi në rimarrjen në punë punëmarrësve të pushuar nga puna për arsye që nuk kanë të bëjnë me punëmarrësit, nëse ai punëson punëmarrës me kualifikim të krahasueshëm.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: