Çfarë kuptojmë me siguri në punë??
Siguria në punë ka të bëjë me garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të punëmarrësve, nëpërmjet parandalimit të rreziqeve profesionale, eleminimit të faktorëve që përbëjnë rrezik dhe aksident. Gjithashtu parashikon informimin, konsultimin, pjesëmarrjen e balancuar si dhe trajnimin e formimin e punëmarrësve, e përfaqësuesve të punëmarrësve ne kete drejtim.
Në çfarë fushash dhe për kë persona aplikohen rregullat e sigurisë në punë?
Rregullat e sigurisë në punë zbatohen në të gjithë sektorët e veprimtarisë private dhe publike, duke përjashtuar ato veprimtari të vecanta të shërbimit publik, si forcat e armatosura, policia e shtetit, ose disa veprimtari për menaxhimin e emergjencave civile ku në këto raste siguria në punë duhet të sigurohet sa më shumë të jetë e mundur. Rregullat e sigurisë në punë aplikohen për të gjithë ato persona të cilët janë punëmarrës qoftë në një veprimtari private ose publike, duke përfshirë: burrat, gratë, të miturit, etj.
Çfarë të drejtash dhe përfitimesh kanë punëmarrësit?
Punëmarrësit kanë të drejtë si më poshtë:
- Informimin për cdo rrezik që ka vendi i punës;
- Për mos kryerjen e punës së detyruar;
- Të kenë përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë;
- Të marrin pjesë në diskutime për të gjitha çështjet, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë;
- Për mos diskriminimin në vendin e punës;
- Të kenë mundësi për të paraqitur vëzhgimet, vlerësimet dhe verifikimet e bëra prej tyre në Inspektoratin Shtetëror të Punës
- Të drejtën për të krijuar një përfaqësi, që do t‘i përfaqësojë ato;
- T’i drejtohen Inspektoratit Shtetëror të Punës, kur mendojnë se masat e marra dhe mjetet e përdorura nga punëdhënësi nuk janë të mjaftueshme për të garantuar sigurimin e shëndetit në punë.
- Të informohen për mënyrën e dhënies së ndihmës së parë;
- T’i kërkojnë punëdhënësit marrjen e masave të nevojshme për shmangien e rrezikut;
- Të kërkojnë informacion nga punëdhënësi dhe të marrin pjesë në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, si edhe në dokumente të tjera, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Si munden punëmarrësit të kërkojnë zbatimin e të drejtave të tyre?
Punëmarrësit mund të kërkojnë zbatimin e të drejtave të tyre me anë të përfaqësuesve të tyre. Ku këto të fundit përfaqësojnë punëmarrësit tek punedhënësi i tyre duke kërkuar që të zbatohen të drejtat e punëmarrsëve. Gjithashtu këto përfaqësues mund t’i drejtohen Inspektoratit Shtetëror të Punës në qoftëse punëdhënësi i tyre nuk i respekton të drejtat për sigurinë në punë.
Si mund të ankohesh për mos respektimin e sigurisë në punë?
Punëmarrësit mund të ankohen për mos respektimin e sigurisë në punë me anë të përfaqësuesve të tyre tek Inspektorati Shtetëror i Punës.
Çfarë detyrimesh ka punëdhënësi?
Punëdhënësi ka detyrimet e mëposhtme për sigurinë në punë:
• parandalimin e rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;
• informimin dhe formimin profesional të punëmarrësve e të përfaqësuesve të tyre;
• organizimin e mbrojtjes kolektive dhe individuale;
• sigurimin e organizimit të vendit të punës e të mjeteve të nevojshme;
• kryen një vlerësim të rreziqeve për sigurinë dhe shëndetin në punë, përfshirë edhe grupet e punëmarrësve të ekspozuar ndaj rreziqeve të veçanta;
• përcakton masat mbrojtëse që duhen marrë dhe nëse është e nevojshme, pajisjet mbrojtëse që do të përdoren;
• mban regjistër të aksidenteve në punë, për rastet kur punëmarrësit përfitojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 3 ditë pune, për shkak të aksidenteve e të sëmundjeve profesionale;
• është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor, nëpërmjet mjekut të punës, të përshtatshëm për rreziqet që paraqet vendi i punës;
• harton raporte për aksidentet në punë e sëmundjet profesionale.
Si i realizon punëdhënësi këto detyra?
Në përmbushjen e detyrimeve të tija, punëdhënësi duhet të marrë dhe garantojë një sërë veprimesh, si për shembull:
• të sigurojë dhe kontrollojë cilësinë e kryerjes së shërbimeve të personave apo shërbimeve të kontraktuara prej tij për sigurinë e shëndetin në punë;
• marrë masat për të siguruar materialet e nevojshme për informimin dhe trajnimin e punëmarrësve, si për shembull postera, fletushka, filma, filmime të lidhura me sigurinë dhe shëndetin në punë;
• të sigurojë informimin e çdo personi përpara fillimit të punës, për rreziqet ndaj të cilave ai mund të ekspozohet në vendin e punës, si dhe për masat parandaluese dhe mbrojtëse që nevojiten;
• të sigurojë që punëmarrësit të jenë të pajisur me lejet e ushtrimit të profesioneve, të cilat parashikohen me akte ligjore të veçanta;
• të sigurojë funksionimin e vazhdueshëm dhe të duhur të sistemeve dhe mjeteve mbrojtëse, neutralizimin e substancave të rrezikshme, etj.;
• të marrë në punë çdo punëmarrës, në bazë të ekzaminimit mjekësor të tij, në varësi të vendit të punës;
• të vërë në dispozicion të inspektorëve të punës, gjatë inspektimit ose hetimit të ngjarjeve, dokumentacionin e nevojshëm dhe informacionin e kërkuar;
• të bëjë rregullimet e nevojshme për të realizuar masat, që kërkohen nga inspektorët e punës gjatë inspektimeve ose hetimeve të ngjarjeve;
• të lejojë përfaqësuesin e punëmarrësve, me kërkesën e këtij të fundit, të marrë pjesë gjatë vizitës së inspektimit, si dhe në rastet e hetimit të ngjarjeve;
Çfarë organesh kontrollojnë/janë përgjegjës për garantimin e respektimit të sigurisë në punë?
Organet që janë përgjegjëse për garantimin e sigurisë në punë janë:
Inspektorati Shtetëror i Punës, i cili është organi përgjegjës për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fushën e sigurisë dhe të shëndetit në punë për bizneset ose kompanitë qofshin këto shtetërore ose private . Në përmbushjen e pergjegjësisë së tij Inspektorati kryen veprimtari të tillë si:
(i) të kontrollojë hartimin dhe zbatimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve në punë nga punëdhënësi;
(ii) të kërkojë nga institucionet shtetërore përgjegjëse dhe shërbimet e specializuara të licencuara kryerjen e matjeve dhe marrjen për analiza të kampioneve të materialeve, të lëndëve dhe substancave të rrezikshme, që përdoren gjatë procesit të punës;
(iii) urdhëron ndalimin e veprimtarisë, riparimin e defekteve, që vërehen gjatë funksionimit të pajisjeve apo gjatë përdorimit të metodave të punës ose modifikimin e instalimeve brenda një afati kohor. Në rastin kur konstatohet ekzistenca e një rreziku serioz dhe të menjëhershëm ose të një sëmundjeje profesionale njofton, nëse është e nevojshme, organet përkatëse të prokurorisë;
(iv) heton ngjarje, në përputhje me kompetencat e tij, autorizon hetimin e konfirmon karakterin e aksidenteve;
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është autoriteti shtetëror përgjegjës në fushën e sigurimeve shoqërore për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale. Në këtë drejtim Instituti merr masa për pagesën e të ardhurave në rast aksidenti në punë/sëmundjeje profesionale, pensioni invaliditeti apo pensioni familjar të të dëmtuarve nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.
Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë krijohet në çdo ndërmarrje, përberja e të cilit ndryshon në varësi të numrit total të punëmarrësve në kompani. Këshilli ka si mision të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor dhe të sigurisë së punëmarrësve, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës. Ai ka funksion këshillues por punëdhënësi është i detyruar të zbatojë propozimet e bëra nga këshilli i sigurisë dhe shëndetit në punë, duke bashkëpunuar me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror.
Autoriteti shtetëror përgjegjës për shëndetësinë drejton (si per shembull Ministria e Shëndetësisë), ka një sërë detyrash në fushën e shëndetit të punëmarrësve si për shembull hartimin e rregulloreve për mbrojtjen e shëndetit, në lidhje me mjedisin e punës dhe për nxitjen e shëndetit në vendin e punës; hartimin e normave të lejueshme të lëndëve të dëmshme në mjediset e punës; përcaktimin e afatit kohor të vizitave periodike të punëmarrësve, sipas llojit të industrisë; përcaktimin e llojet e analizave specifike për çdo lloj industrie, që duhen bërë për vlerësimin e shëndetit në punë, etj. Gjithashtu duhet të monitorojë me strukturat e saj ndikimet e kushteve të punës në shëndetin e punëmarrësve, etj.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.