Shkaktimi i demit / Përgjegjësia nga produktet
Përgjegjësia nga produktet

Kur quhet me të meta një produkt?

Një produkt quhet me të meta kur nuk jep sigurinë që pritet prej tij, duke pasur parasysh këto rrethana në veçanti:

  • paraqitjen e produktit;
  • përdorimin e arsyeshëm që pritet prej produktit;
  • kohën e vënies në qarkullim të produktit.

Produkti nuk mund të quhet me të meta duke u nisur nga fakti se një produkt më i përmirësuar është vënë në qarkullim më vonë se ai.

Kur përjashtohet nga përgjegjësia prodhuesi për dëmin e shkaktuar nga të metat e produkteve të tij?

Prodhuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga të metat e produkteve të tij, me përjashtim të rasteve kur:

  • nuk ka vënë në qarkullim produktin;
  • vërtetohet se të metat që kanë shkaktuar dëmin nuk ekzistonin në kohën e vënies në qarkullim të produktit;
  • produkti nuk ka qenë prodhuar për shitje ose ndonjë formë tjetër shpërndarje, me qëllim ekonomik;
  • produkti ka qenë në përputhje me rregullat e vëna nga organet publike;
  • nuk ka qenë e mundur të zbulohen të metat në kohën e vënies në qarkullim të produktit;
  • lënda e parë e prodhuar ose fabrikimi i një pjese përbërëse të produktit rezultojnë me të meta si rrjedhojë e udhëzimeve të gabuara të dhëna nga prodhuesi i produktit.

Tek produktet përfshihet edhe elektriciteti, ndërsa përjashtohen produktet bujqësore dhe produktet e rrjedhura nga gjuetia.

Deri në cilin moment mund të kërkohet shpërblimi i dëmit kundrejt prodhuesit?

Padia për shpërblimin e dëmit kundrejt prodhuesit mund të ngrihet brenda tre vjetëve nga dita që personi i dëmtuar ka pasur ose duhej të kishte pasur dijeni për dëmin, të metat e produktit dhe identitetin e prodhuesit, por në çdo rast jo më vonë se dhjetë vjet nga dita që prodhuesi ka vënë në qarkullim produktin që ka shkaktuar dëmin.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: