Shkaktimi i demit / Shperblimi i dëmit
Shperblimi i dëmit

Cilat janë pjesët përbërëse të shpërblimit të dëmit pasuror dhe dëmit jopasuror?

Shpërblimi i dëmit pasuror përbëhet nga humbja e pësuar nga dëmi dhe të ardhurat që do të përfitoheshin në rast se dëmi nuk do të kishte ndodhur.

Shpërblehen gjithashtu shpenzimet e kryera në mënyrë të arsyeshme për të shmangur ose pakësuar dëmin, për të përcaktuar përgjegjësinë dhe masën e dëmit, si dhe për të siguruar shpërblimin në rrugë jashtëgjyqësore.

Dëmi jo pasuror përfshin dëmin biologjik, dëmin moral dhe dëmin ekzistencial.

Dëmi biologjik përbën në thelb cënimin e së mirës së shëndetit, të integritetit fizik dhe/ose psikik të njeriut dhe që ka një ndikim negative në aktivitetin jetësor të përditshëm, në aspektin dinamik dhe ndërpersonal të jetës së palës së dëmtuar, pavarësisht kthimit të mundshëm të kapacitetit të tij për të siguruar të ardhura.

Dëmi moral është shfaqje e brendshme e turbullimit të gjendjes shpirtërore të njeriut, dhimbje e vuajtje shpirtërore individuale dhe e familjarëve të të dëmtuarit.

Dëmi ekzistencial është cenimi i të drejtave të personalitetit të njeriut duke dëmtuar në mënyrë të përhershme shprehjen e të dëmtuarit si njeri, ose të familjarëve të tij në botën e jashtme, duke tronditur objektivisht jetën e përditshme dhe veprimtarinë e zakonshme të tij, si në cilësinë e jetës, ashtu dhe në marrëdhëniet personale dhe familjare.

Dëmin moral dhe dëmin ekzistencial nga vdekja, paaftësia e pjesshme e përhershme apo paaftësia totale e përhershme e përfitojnë personi i dëmtuar dhe/ose familjarët e personit të dëmtuar.

Kur mund të kërkohet shpërblim për një dëm jopasuror?

Personi që pëson një dëm jopasuror, ka të drejtë të kërkojë të shpërblehet kur:

  • ka pësuar një dëmtim të shëndetit ose është cenuar në nderin e personalitetit të tij;
  • është fyer kujtimi i një të vdekuri, me përjashtim të rastit kur fyerja është kryer kur i vdekuri ka qenë gjallë dhe i është njohur e drejta e shpërblimit të dëmit për fyerjen e bërë.

Kjo e drejtë është e pa trashëgueshme.

Çfarë shpërblimi duhet të jepet në rast se është shkaktuar vdekja e një personi?

Kur është shkaktuar vdekja e një personi, dëmi që duhet të shpërblehet përbëhet nga:

  • shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit;
  • shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit.

Personi që ka shkaktuar dëmin mund të mbrohet me të njëjtat mjete me të cilat do të mbrohej nëse personi do të ishte gjallë.

Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, mund të vendosë që shpërblimi të jepet në natyrë, ose në para, njëherësh ose me këste.

Sa është masa e shpërblimit në rast vdekjeje apo dëmtimi të shëndetit?

Kur shkaktohet vdekja ose dëmtimi i shëndetit të një personi që fiton nga sigurimet shoqërore, dëmi shpërblehet në mënyrën e caktuar me ligj.

Për një person që nuk ka qenë në marrëdhënie pune ose nuk ka qenë i siguruar, masa e shpërblimit të dëmit të rrjedhur nga vdekja ose dëmtimi i shëndetit, caktohet nga gjykata në bazë të pagës që merr një punonjës i asaj kategorie me të cilën mund të barazohet edhe puna që kryente ose mund të kryente i dëmtuari.

Cili është shpërblimi që përfiton i mituri i dëmtuar?

I mituri i dëmtuar, ka të drejtë që në vend të shpërblimit që merr për jetesë, të kërkojë të shpërblehet me pagën mesatare të një punëtori të asaj kategorie që do të kishte fituar ose duhej të kishte fituar po të mos ishte shkaktuar dëmtimi i shëndetit.

A ka ndryshim në shpërblim në rast se personi ka pasur një përfitim nga dëmi që ka shkaktuar?

Kur personi që ka kryer veprimin apo mosveprimin e paligjshëm krahas dëmit të shkaktuar, ka pasur edhe një përfitim të dukshëm, gjykata me kërkesën e palës së dëmtuar mund të llogarisë në shpërblimin e dëmit, tërësisht apo pjesërisht edhe përfitimin.

Në rastin e aksidenteve automobilistike, çfarë lloj dëmesh paguhen dhe kush i paguan?

Në çdo rast që shkaktohet një aksident nga një automjet i siguruar, shpërblimi i dëmeve të shkaktuara bëhet nga shoqëria e sigurimit që ka siguruar automjetin shkaktar të aksidentit. Në rast se automjeti nuk është i siguruar, shpërblimi i dëmit bëhet nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve.

Në rastin e aksidenteve automobilistike, shoqëria e sigurimit ose Byroja paguan dëmet materiale (dëmtimi i automjetit) dhe dëmet pasurore e jopasurore të shkaktuara nga aksidenti.

Masa e shpërblimit të dëmit mund të ndryshojë në të ardhmen, në varësi të përmirësimit aporëndimit të shëndetit ose të shtimit apo pakësimit të aftësisë për punë të të dëmtuarit, në krahasim me kohën e caktimit të shpërblimit dhe të ndryshimeve që mund të ketë pësuar paga e të dëmtuarit.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: