Sigurimet shoqerore / Kontributi
Kontributi

Kush duhet të paguajë kontribut për sigurimet shoqërore dhe sa duhet të paguajë?

Personat e punësuar dhe punëdhënësit e tyre janë të detyruar të paguajnë kontribut për sëmundje, barrëlindje dhe pensione, në një shumë që varet nga paga e tyre totale (bruto). Kontributi nuk mund të llogaritet nën një pagë minimale dhe mbi një pagë maksimale mujore, paga të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

(* Sipas verifikimit të fundit në mars 2016: paga minimale mujore është 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe paga maksimale mujore është 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë. Për personat që nuk kanë pagë ose që nuk kanë dokument që vërteton pagën, përfitimet llogariten mbi pagën minimale.)

Punëdhënësit detyrohen të paguajnë kontribut për aksidentin në punë, sëmundjen profesionale dhe papunësinë.

Personat e tjerë ekonomikisht aktivë janë të detyruar të paguajnë kontribut mujor për barrëlindje dhe për pensione të llogaritura, mbi të njëjtën pagë bruto si më lart.

Punonjësit e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, paguajnë kontribut për barrëlindje dhe për pensione, mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi.

Personat e vetëpunësuar në bujqësi janë të detyruar të paguajnë kontribut për barrëlindje dhe për pensione.

Kontributi që paguhet për sigurimet shoqërore në fondet e sigurimeve për sëmundje, barrëlindje dhe pensione për të punësuarit me kontratë pune, që punojnë mbi 87 orë në muaj, do të jetë:

  • Për punëdhënësit 15% e pagës bruto për secilin punonjës;
  • Për personin e punësuar 9.5% e pagesës së tij totale (bruto).

Ndërsa për të punësuarit me kontratë pune, që punojnë më pak se 87 orë në muaj, do të jetë:

  • Për punëdhënësit 13.9% e pagës bruto (në listëpagesa) për secilin punonjës;
  • Për personin e punësuar 9.4% e pagesës së tij totale (bruto).

Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar.

Si derdhen kontributet?

Kontributet e personave të punësuar nën një kontratë pune do të ndahen ndërmjet personit të siguruar dhe punëdhënësit të tij dhe do të derdhen nga punëdhënësi.

Personat e detyruar për derdhjen e kontributeve, pra siç është rasti i punëdhënësit, janë përgjegjës për llogaritjen dhe pagesën e tyre. Punëdhënësi është i detyruar të mbajë nga paga e të punësuarve kontributet dhe t’i derdhë ato në llogari të administratës tatimore.

Kontributet e të vetëpunësuarve dhe kontributet vullnetare derdhen në llogaritë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Personi i detyruar për të paguar kontribute duhet të dorëzojë në organet tatimore një deklaratë për çdo periudhë për të cilën është i detyruar t’i paguajë këto kontribute.

Kontributet paguhen brenda datës 20 të muajit pasardhës, në bankat, të cilat kanë marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: