Sigurimet shoqerore / Pensionet
Pensionet

Cilat janë kushtet për përfitimin e pensionit të pleqërisë?

Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar për dalje në pension.

Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar për dalje në pension.

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, duke filluar nga tre vjet përpara mbushjes së moshës së daljes në pension, kur:

  • Kanë plotësuar vitet e sigurimit;
  • Nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.

Pension invaliditeti, i reduktuar dhe i pjesshëm. Kush përfiton, periudha minimale e sigurimit dhe shuma e pensionit të invaliditetit?

Personi që bëhet i paaftë merr pension invaliditeti, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe për çdo arësye, veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale. Ai e merr këtë pension kur bëhet i paaftë: • për çdo veprimtari ekonomike; • kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin). Invaliditeti caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij, si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vend dhe llogaritet me të njëjtën formulë si pensioni i pleqërisë. Pensioni i invaliditetit mund të jetë ose i reduktuar ose i pjesshëm. Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Invaliditeti i pjesshëm aplikohet kur i siguruari ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe kur për çdo arësye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 përqind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Çfarë është e ardhura shtesë për kujdesje dhe e ardhura shtesë për fëmijët në ngarkim. Kur aplikohen?

Kur përfituesi i një pensioni invaliditeti bëhet fizikisht ose psikikisht i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme të një personi tjetër, atij i jepet një e ardhur shtesë prej 15 përqind të bazës së vlerësuar neto. Nevoja për kujdesje të vazhdueshme e një personi tjetër përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti dhe që ka në ngarkim fëmijët deri në moshën 18 vjeç, ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, merr një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 përqind të pensionit bazë, por jo më shumë se 30 përqind.

Personat që janë në ngarkim të personit që vdes, i cili përmbushte kushtet për të përfituar ose përfitonte nga një prej llojeve të pensioneve, kanë të drejtë të marrin pension familjar.

Pension familjar përfitojnë:

• E veja, kur provohet se ajo është:

o Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;

o E paaftë për punë; ose

o Ka mbushur moshën 55 vjeç.

• Burri i ve, kur provohet se ai është:

o Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në 8 vjeç;

o I paaftë për punë; ose

o Ka mbushur moshën 60 vjeç.

E veja dhe personi i ve humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.

• Jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme;

• Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë;

• Prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, prej jo më pak se një viti para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, apo janë të paaftë për punë;

• Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë ata trajtohen si jetimë. Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit. Pensioni, që do t’i takonte të ndjerit, llogaritet sipas rregullave për pensionet e invaliditetit. Pensioni familjar jepet në masën:

• 50% për personin e ve; dhe

• 25% për çdo jetim ose persona të tjerë që përfitojnë. Personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre. E drejta e zgjedhjes mund të ushtrohet deri në tre herë. Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Jetimi ka të drejtën e një pensioni familjar edhe nëqoftëse prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij Jetimi që humbet të dy prindërit, do të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre.


Bazuar në: • Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. • Ligji Nr.9136, Datë 11.9.2003, “Për Mbledhjen e Kontributeve të Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”.

• Ligji Nr.10383, Datë 24.2.2011, “Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar

• Ligj Nr.10 139, Datë 15.5.2009, “Për Pensionet shtetërore Suplementare të Punonjësve të Universiteteve, të Shkollave të Larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë Së Shkencave dhe të gjitha Institucioneve të tjera Kërkimore Publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”.

• Ligj Nr. 9705, Datë 02.04.2007, “Për Faljen e Kamatëvonesave të Papaguara të Kontributeve të Sigurimeve të Detyrueshme Shoqërore Dhe Shëndetësore”.

Në degën e sigurimit të pensioneve paguhet:

a) pension pleqërie/ pension pleqërie i reduktuar;

b) pension invaliditeti;

c) pension invaliditeti i pjesshëm / pension invaliditeti i reduktuar

d) të ardhura shtesë për kujdesje;

e) të ardhura shtesë për fëmijën në ngarkim;

f) pensione familjare;

g) pagesë për vdekje.

Pension pleqërie / Pension pleqërie i reduktuar. Kush përfiton dhe sa është masa e pensionit? Cfarë është trajtimi i vecantë financiar?

Pensioni i pleqërisë konsiston në caktimin e një shume të ardhurash kundrejtë ish punonjësve të cilët kanë mbushur moshën e daljes në pension. Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar për dalje në pension. Nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, duke filluar nga tre vjet përpara mbushjes së moshës së daljes në pension, kur:

• Kanë plotësuar vitet e sigurimit;

• Nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.

Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

Formula e llogaritjes së masës së pensionit

Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve.

Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

Pensionistët, që kanë humbur pjesëtarë të familjes si pasojë e fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga tërmeti i datës 26.11.2019, përfitojnë trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social, ndërsa personat, që kanë humbur të gjithë pjesëtarët e familjes, përfitojnë deri në masën e trembëdhjetëfishit të pensionit social. Pensionistët, që kanë humbur të gjithë pjesëtarët e familjes, përfitojnë vetëm trajtimin në masën e trembëdhjetëfishit të pensionit social. Trajtimi i veçantë financiar caktohet me vendim individual të Këshillit të Ministrave dhe financohet nga buxheti i shtetit. Ky trajtim sipas Aktit normativ nr. 7, datë 30.11.2019 për një shtesë në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në republikën e shqipërisë”, të ndryshuar.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: