Sigurimet shoqerore / Pensionet
Pensionet

Cilat janë kushtet për përfitimin e pensionit të pleqërisë?

Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar për dalje në pension.

Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar për dalje në pension.

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, duke filluar nga tre vjet përpara mbushjes së moshës së daljes në pension, kur:

  • Kanë plotësuar vitet e sigurimit;
  • Nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.

Çfarë të ardhurash përfitohen nga pensioni i invaliditetit dhe cilat janë kushtet për t’i përfituar ato?

Personi që bëhet i paaftë për punë merr pension invaliditeti, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, siç ajo përcaktohet me formulë ligjore, për çdo arsye, veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale. Ai e merr këtë pension kur bëhet i paaftë:

  • Për çdo veprimtari ekonomike;
  • Kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë dhe verbimin).

Invaliditeti caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij, si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë.

Invaliditeti caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij, si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë.

Kur përfituesi i një pensioni invaliditeti bëhet fizikisht ose psikikisht i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme të një personi tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15% të pagës neto. Nevoja për kujdesje të vazhdueshme e një personi tjetër përcaktohet nga KMCAP.

Një person i siguruar i paaftë për punë, që merr pension invaliditeti dhe që ka në ngarkim fëmijët deri në moshën 18 vjeç, ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, merr një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5% të pensionit bazë, por jo më shumë se 30%.

Kundër Vendimit të KMCAP të nivelit të parë, personi mund të bëjë ankim brenda 30 ditëve në Komisionin Epror Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KEMCAP). Vendimi i Komisionit Epror është i formës së prerë.

Çfarë të ardhurash përfitohen nga pensioni familjar dhe cilat janë kushtet për t’i përfituar ato?

Personat që janë në ngarkim të personit që vdes, i cili përmbushte kushtet për të përfituar ose përfitonte nga një prej llojeve të pensioneve, kanë të drejtë të marrin pension familjar.

Pension familjar përfitojnë:

  • E veja, kur provohet se ajo është:
    • Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;
    • E paaftë për punë; ose
    • Ka mbushur moshën 55 vjeç.
  • Burri i ve, kur provohet se ai është:
    • Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në 8 vjeç;
    • I paaftë për punë; ose
    • Ka mbushur moshën 60 vjeç.

    E veja dhe personi i ve humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.

  • Jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme;
  • Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë;
  • Prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, prej jo më pak se një viti para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, apo janë të paaftë për punë;
  • Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë ata trajtohen si jetimë.

Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit. Pensioni, që do t’i takonte të ndjerit, llogaritet sipas rregullave për pensionet e invaliditetit.

Pensioni familjar jepet në masën:

  • 50% për personin e ve; dhe
  • 25% për çdo jetim ose persona të tjerë që përfitojnë.

Jetimi që humbet të dy prindërit, do të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre.

Personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre. E drejta e zgjedhjes mund të ushtrohet deri në tre herë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: