Sigurimet shoqerore / Sigurimi shoqëror i detyrueshëm
Sigurimi shoqëror i detyrueshëm

Çfarë mbulon sigurimi shoqëror i detyrueshëm?

Sigurimi shoqëror i detyrueshëm mbron me të ardhura:

  • Personat e punësuar në lidhje me:
    • Paaftësinë e përkohshme në punë për shkak të sëmundjes;
    • Barrëlindjen;
    • Pleqërinë, invaliditetin dhe humbjen e mbajtësit të familjes;
    • Aksidentin në punë dhe sëmundjet profesionale;
    • Papunësinë.
  • Personat e tjerë ekonomikisht aktivë (punëdhënësi dhe të vetëpunësuarit), në lidhje me:
    • Barrëlindjen;
    • Pleqërinë, invaliditetin dhe humbjen e mbajtësit të familjes.

Ku mund të kërkohen këto përfitime?

Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë drejtohen e administrohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH).

Kërkesat, së bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, paraqiten në agjencitë lokale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit.

Çfarë është sigurimi shoqëror vullnetar dhe kush mund të sigurohet?

Sigurimi shoqëror vullnetar lejon personat e siguruar në mënyrë të detyrueshme, kur për një kohë dhe shkaqe të arsyeshme nuk mund të sigurohen detyrimisht, për të vazhduar të drejtën e sigurimit, sipas sistemit vullnetar.

Sigurimi vullnetar është i mundur edhe për periudhën e studimeve universitare, me kusht që personi i siguruar të paguajë kontribut për këtë periudhë, përpara datës së fillimit të së drejtës për të ardhura.

Kush përfiton nga sigurimet shoqërore?

Sigurimet shoqërore mbrojnë në mënyrë të detyrueshme të gjithë shtetasit ekonomikisht aktivë në Shqipëri, si p.sh.: të punësuar apo të vetëpunësuar, në rastin e pakësimit të të ardhurave si pasojë e barrëlindjes, pleqërisë, invaliditetit dhe humbjes së mbajtësit të familjes.

Sigurimet shoqërore, gjithashtu, i japin mbrojtje të detyrueshme të gjithë personave të punësuar, në rastin e pakësimit të të ardhurave, si pasojë e paaftësisë së përkohshme të shkaktuar nga sëmundja, aksidentit në punë, sëmundjes profesionale dhe papunësisë.

Cila është periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore?

Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore nis ditën kur personi e ka filluar ligjërisht veprimtarinë ekonomike dhe mbaron ditën kur përfundon ligjërisht kjo veprimtari.

Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore vullnetare nis nga data e përcaktuar në kontratën e sigurimit dhe mbaron ditën e skadimit të kësaj kontrate.

Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore për efekt të pensionit të pleqërisë, pensionit të invaliditetit dhe pensionit familjar përfshin edhe periudhën kur personi përfiton të ardhura nga sigurimet shoqërore për shkak sëmundjeje, barrëlindjeje, aksidenti në punë ose sëmundjeje profesionale dhe për papunësinë.

Pra, përfitimi i përkohshëm nga sigurimet shoqërore, në një prej rasteve të lartpërmendura, nuk pezullon llogaritjen e periudhës së mbrojtjes për efekt të pensionit, që ka filluar nga dita e parë e veprimtarisë ekonomike, e punës ose biznesit.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: