Strategjia per edukimin ligjor / Dy fjalë për Strategjinë
Dy fjalë për Strategjinë

Hyrje

Kuvendi, me Vendimin nr.96/20141 vendosi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Komisioni i Posaçëm ka patur, ndër të tjera, për objekt të veprimtarisë së tij edhe "Hartimin e një dokumenti strategjik për objektivat e reformës në sistemin e drejtësisë, bazuar në analizën e gjendjes aktuale të organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë".

Për realizimin e detyrave të sipërpërmendura, pranë Komisionit të Posaçëm u ngrit Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL), i mbështetur nga një sekretariat teknik. Në përfundim të Analizës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe mbështetur mbi gjetjet e saj, u hartua nga GENL, me asistencën e Sekretariatit Teknik, Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe Plani i Veprimit për zhvillimin e strategjisë për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në përfundim, me vendimin nr.14, dt.30.07.2015 "Për miratimin e Dokumentit 'Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri"2, Komisioni i Posaçëm miratoi, Dokumentin "Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri" dhe me vendimin nr.15, datë 30.07.2015 "Për miratimin në parim të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për reformën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri"3, Komisioni i Posaçëm miratoi në parim dokumentin Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë si dhe Planin e Veprimit për zhvillimin e strategjisë për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Këto dokumente shërbyen si bazë për hartimin e ndryshimeve kushtetuese si dhe paketës së projektligjeve që do të bëjë të mundur zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në Strategjinë e Reformës në Sistemin e Drejtësisë4 parashikohet "Edukimin ligjor dhe arsimi juridik" si një nga 7 shtyllat bazë të reformës në sistemin e drejtësisë. Në datë 16 dhjetor 2016, u prezantua në Komisionin e Posaçëm paketa prej 27 projektligjesh hartuar nga GENL së bashku më ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS, OPDAT dhe OSBE. Pjesë e paketës së akteve të Reformës në Drejtësi është edhe Strategjia për Edukimin Ligjor të Publikut në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë procesit të hartimit të Strategjisë për Edukimin Ligjor të Publikut (SELP), ekspertët e nivelit të lartë janë mbështetur nga stafi teknik i nëngrupit të punës si dhe nga grupi i punës i ngritur nga Koalicioni i shoqërisë civile "Drejtësi për të gjithë", të mbështetur nga Save the Children me fondet e Bashkimit Europian dhe nga OSBE.

Qëllimi i Strategjisë

Strategjia për edukimin ligjor të publikut (SELP) përcakton vizionin, qëllimet dhe objektivat strategjike të edukimit ligjor të publikut (ELP) përgjatë periudhës 2018-2022. SELP është dokumenti i parë strategjik i miratuar në Shqipëri me fokus të veçantë edukimin ligjor të qytetarëve. Ky dokument është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës hartimi dhe konsultimi.

Vizioni i ELP-së për vitet e ardhshme është:

Qytetarë më të ndërgjegjësuar për rëndësinë e njohjes se ligjit, të drejtave dhe detyrimeve të tyre, bazuar në nevojat specifike dhe nxitjen e aktivizimit qytetar për forcimin e shtetit të së drejtës.

SELP synon organizimin e një aksioni të gjerë e të vazhdueshëm, që do t'u sigurojë shtetasve, sipas nevojës, njohuritë e nevojshme ligjore për t'u përballur me problemet ligjore që mund t'u lindin gjatë jetës së tyre, t'i aftësojë për të kuptuar legjislacionin dhe të shmangin shkeljen e ligjit. Strategjia do të shërbejë për t'i ndihmuar shtetasit, që bazuar në njohuritë mbi legjislacionin në fuqi, të adresojnë vetë, mundësisht, problemet dhe shqetësimet që kanë. Në rastet kur vendosin të kërkojnë ndihmë dhe përfaqësim profesional nga një avokat, të jenë në gjendje të ndërtojnë së bashku me të strategjinë e ndërhyrjes ligjore dhe të jenë në gjendje të kuptojnë shërbimin që ju ofrohet nga përfaqësuesi dhe zhvillimin e procesit administrative, ose gjyqësor ku janë palë.

Nga ana tjetër, edukimi ligjor do të rritë ndërgjegjen qytetare të shtetasve, t'i nxitë të jenë aktivë në jetën e vendit, të bëhen shtetas që respektojnë legjislacionin në fuqi dhe e kërkojnë këtë nga administrate publike dhe shtetasit e tjere, duke mbajtur qëndrim kritik ndaj kujdo që i shkel ligjet, apo abuzon me to. Të rritë ndërgjegjen qytetare, duke kontribuar për mbrojtjen e zhvillimin e vlerave të shoqërisë demokratike dhe për zhvillimin pozitiv të vendit, për të ndjekur e monitoruar veprimtarinë e organeve të pushtetit shtetëror, por dhe të bashkëpunojë me to në të mirë të vendit e të interest publik. Informimi e edukimi ligjor i publikut, gjithashtu, do të duhet t'i bëjë të aftë shtetasit të identifikojnë nevojën për përmirësime ligjore dhe për të marrë pjesë aktive në diskutimin e projektligjeve, programeve të zhvillimit të vendit ose të sektorëve të ndryshëm, që paraqiten për shqyrtim nga administrata publike ose strukturat publike kompetente.

Miratimi i Strategjisë

Strategjia për Edukimin Ligjor të Publikut pritet të konsultohet me grupet e interesit gjatë muajit janar 2018 dhe pas marrjes së mendimeve përkatëse të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

1 https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2015/10/vendim_nr_96_dt_27_11_2014_20207_1.pdf
2 http://reformanedrejtesi.al/vendim/vendim-nr14-dt-30072015
3 http://reformanedrejtesi.al/vendim/vendim-nr15-dt-30072015
4 http://www.euralius.eu/images/Justice-Reform/Strategjia-ne-Refomen-e-Sistemit-te-Drejtesise_24-07-2015.pdf
Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: