Tatimet dhe taksat / Llojet e tatimeve dhe taksave
Llojet e tatimeve dhe taksave

Çfarë do të kuptojmë me fjalën “tatim”?

“Tatim” është pagesa e detyrueshme dhe e pakthyeshme në Buxhetin e Shtetit apo në buxhetin e organeve të qeverisjes vendore, e vendosur me ligj dhe që nuk bëhet në shkëmbim të mallrave dhe shërbimeve të caktuara.

Çfarë do të kuptojmë me fjalën “taksë”?

“Taksë” është pagesa e detyrueshme dhe e pakthyeshme në Buxhetin e Shtetit apo në buxhetin e organeve të qeverisjes vendore, e vendosur me ligj dhe që paguhet nga çdo person, që ushtron një të drejtë publike apo përfiton një shërbim publik në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Çfarë do të kuptojmë me fjalën “tarifë”?

“Tarifë” është një pagesë, që një individ, person fizik apo juridik, bën drejtpërdrejt apo nëpërmjet një nëpunësi tek administrata tatimore qendrore. Tarifa paguhet në shkëmbim:

  • të një shërbimi specifik të marrë;
  • të mire publike specifike të përdorur, apo;
  • të drejte të dhënë.

Çfarë do të kuptojmë me fjalën “tatimpagues”?

“Tatimpagues” është personi apo individi, i cili detyrohet nga ligji të paguajë tatime, taksa ose kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe personi që llogarit dhe mban tatimin në burim.

Çfarë do të kuptojmë me fjalën “taksapagues”?

“Taksapagues” është çdo individ, person fizik ose juridik, vendas apo i huaj, i cili është i detyruar të paguajë njërën nga taksat kombëtare.

Cilat janë llojet e tatimeve dhe taksave në Shqipëri?

Tatimet dhe taksat në Shqipëri janë kombëtare ose vendore. Në tatimet dhe taksat kombëtare përfshihen:

  • tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH);
  • tatimi mbi të ardhurat;
  • akciza;
  • tatimi për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet e kuajve;
  • taksat kombëtare;
  • tatime të tjera, të cilat janë përcaktuar si të tilla me ligj të veçantë.

Cilat janë llojet e taksave kombëtare?

Taksat kombëtare janë:

  • Taksa portuale;
  • Taksa e qarkullimit për benzinën;
  • Taksa e mjeteve të përdorura të transportit;
  • Taksa e rentës minerare;
  • Taksa e akteve dhe e pullës;
  • Taksa e karbonit për benzinën;
  • Taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit;
  • Taksa e ambalazheve të plastikës dhe të qelqit;
  • Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror;
  • Taksa mbi primet e shkruara, me përjashtim të primeve të sigurimit për produktet e jetës, shëndetit në udhëtim dhe kartonit jeshil;
  • Taksë regjistrimi fillestar dhe taksë e përvitshme për automjetet luksoze.

Cilat janë taksat kombëtare që vilen nëpërmjet pullës?

Taksat kombëtare, që vilen nëpërmjet pagimit të pullës, janë:

  • taksa vjetore e mjeteve te përdorura, dhe;
  • taksa e akteve të gjendjes civile.

Si informohet publiku në lidhje me legjislacionin tatimor?

Administrata tatimore ka për detyrë që, duke përdorur të gjitha mjetet e komunikimit, përfshirë median e shkruar dhe atë elektronike, të informojë publikun për përmbajtjen, rolin dhe rëndësinë e legjislacionit tatimor. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon materiale sqaruese, komentarë dhe materiale të tjera shpjeguese, në lidhje me legjislacionin tatimor.

Për qëllime të informimit të publikut, për ligjet e reja tatimore, ndryshimet e bëra për legjislacionin tatimor dhe për aktet nënligjore, të dala në zbatim të tij, bëhet publikimi i akteve nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike, si dhe përmes faqes zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, jo më vonë se 15 ditë nga data e hyrjes së tyre në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon në faqen e saj të internetit vendimet e formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese për çështjet tatimore.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: