Tatimet dhe taksat / Taksat vendore
Taksat vendore

Cilat janë disa nga funksionet e Këshillit të Bashkisë?

Këshilli i bashkisë:

  • vendos për nivelin e taksës, brenda kufijve të përcaktuar me ligj;
  • përcakton numrin e kësteve të pagimit të taksës dhe afatet e kryerjes së tyre;
  • përcakton:
    • detyrat dhe përgjegjësitë e zyrës së taksave;
    • mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë edhe zgjedhjen e personit që do ta mbledhë;
    • rastet e ndërhyrjes së policisë bashkiake, në mbështetje të administrimit të taksave vendore;
    • rregullat e raportimit, të dokumentimit e kontrollit të taksave vendore;
    • kriteret dhe procedurat e marrëdhënieve me taksapaguesit, përfshirë të drejtën e tyre të ankimimit;
    • mënyrat e zbatimit të sanksioneve për kundërvajtjet administrative.

Cilat janë llojet e taksave dhe tatimeve vendore?

Në taksat dhe tatimet vendore përfshihen:

  • Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël;
  • Taksa mbi pasurinë e paluajtshme;
  • Taksa e fjetjes në hotel;
  • Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja;
  • Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme;
  • Taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve;
  • Taksa e tabelës;
  • Taksa të përkohshme.

Sa është tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël?

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, me qarkullim vjetor nga 5 (pesë) deri në 8 (tetë) milionë lekë, është 5%.

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 5 (pesë) milionë lekë, është 0 (zero) lekë në vit.

Periudha mbi të cilën llogaritet qarkullimi dhe në rast se është i zbatueshëm, dhe tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, fillon më 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor të vitit në vazhdim. Nëse veprimtaria e biznesit krijohet ose pushon brenda kësaj periudhe, detyrimi i taksapaguesit llogaritet proporcionalisht vetëm për periudhën e ushtrimit të kësaj veprimtarie.

Në rastin e tatimpaguesve me qarkullim vjetor nga 5 (pesë) deri në 8 (tetë) milionë lekë, këstet e parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për vitin vijues, llogariten në bazë të të dhënave të deklaratës tatimore të një viti më parë.

Kush paguan taksë mbi pasurinë e paluajtshme?

Taksë mbi pasurinë e paluajtshme paguajnë të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë apo përdorues të pasurive të paluajtshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive.

Detyrimin për të paguar këtë taksë e ka, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente pronësie.

Cilat janë taksat që paguhen mbi pasurinë e paluajtshme?

Taksat që paguhen mbi pasurinë e paluajtshme janë:

  • taksa mbi ndërtesat;
  • taksa mbi tokën bujqësore;
  • taksa mbi truallin.

Kush paguan taksë mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme?

Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to. Taksa paguhet nga personi, që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit të saj sipas ligjit.

Si llogaritet taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme?

Baza e taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit, pronësia e së cilës transferohet.

Pasuritë e tjera të paluajtshme taksohen me 2% të vlerës së shitjes së tyre.

Si llogaritet taksa mbi ndërtesat

Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja në metër katror e ndërtesës ose e një pjese të saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i ndërtesës bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së ndërtesës, pranë bashkisë ku ndodhet ndërtesa.

Tatimpaguesit që kanë në pronësi më shumë se një banesë, për shtëpinë ku kanë banimin e zakonshëm paguajnë taksën e ndërtesës sipas sipërfaqes, ndërsa për të gjitha shtëpitë e tjera, taksa e ndërtesës është sa dyfishi i taksës së ndërtesës, që zbatohet në zonën ku ndodhet kjo ndërtesë.

Kjo taksë llogaritet në lekë për metër katror, sipas zonës ku ndodhet ndërtimi, vitit të ndërtimit dhe qëllimit të përdorimit të saj.

Si llogaritet taksa mbi tokën bujqësore?

Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësi apo në përdorim të taksapaguesit. Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë atë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i tokës bujqësore bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së tokës bujqësore, pranë bashkisë ku ndodhet toka.

Kjo taksë llogaritet në lekë për hektar, për çdo vit.

Përjashtohen nga taksa tokat bujqësore, që mbillen me pemë drufrutore dhe vreshtari për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes.

Si llogaritet taksa mbi truallin?

Baza e taksës mbi truallin është sipërfaqja e truallit, në metër katror, në pronësi apo përdorim të taksapaguesit. Sipërfaqja e truallit në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë atë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i truallit bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së truallit në përdorim, pranë bashkisë ku ndodhet trualli.

Kjo taksë llogaritet në lekë për metër katror.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: