Si identifikohet secili tatimpagues?
Personat fizikë dhe juridikë ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare vetëm pas regjistrimit të tyre, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Në momentin që regjistrohen në QKR, personat pajisen me një numër unik identifikimi, i cili shërben si numër i identifikimit tatimor të tyre, për tatimet kombëtare dhe vendore. Ky regjistrim shërben njëkohësisht si regjistrim në administratën tatimore.
Si numër identifikimi për qëllime tatimore, për tatimpaguesin që është individ, shërben numri personal i identifikimit.
Çfarë të drejtash ka tatimpaguesi?
Disa nga të drejtat që ka tatimpaguesi janë:
- Të marrë informacion dhe të asistohet pa shpërblim nga administrata tatimore për zbatimin e legjislacionit tatimor.
- Të ruhet konfidencialiteti i të dhënave të veta tatimore e financiare, të administruara nga administrata tatimore.
- Të njoftohet për çdo akt apo veprim, të bërë për mbledhjen e detyrimeve tatimore, i cili prek pasurinë e tij, përveç rastit kur ekziston rreziku i shmangies nga mbledhja e këtij detyrimi nëse bëhet njoftimi i tij.
- Në rast mosmarrëveshjeje për vlerësimin tatimor, të marrë përgjigje me shkrim nga administrata tatimore në lidhje me arsyet dhe mënyrën e vlerësimit dhe të vendimit të marrë.
- Të marrë nga administrata tatimore vërtetim për të ardhurat e tatueshme, për detyrimet tatimore të mbetura, si dhe për pagesat e kryera.
- Të emërojë një përfaqësues, me prokurë, i cili e përfaqëson atë në raport me administratën tatimore.
- Të kërkojë kopje të noterizuar të origjinalit, për çdo dokument, që ndodhet në dosjen e hapur për të, apo të kërkojë kopje të printuara dhe të certifikuara të të dhënave elektronike, të lidhura me të.
- Të dëgjohet nga administrata tatimore përpara se ajo të marrë një vendim administrativ për të dhe pasurinë e tij.
- Të drejtën e ankohet dhe të garantohet për një shqyrtim të pavarur administrativ të çështjeve të lidhura me të.
- Tatimpaguesi ka të drejtë t’i sigurohen kontrolle të arsyeshme, të cilat të kryhen në kohë të arsyeshme, në vendin e duhur dhe brenda afateve.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.